
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, vendosi ushtrinë e vendit të tij në gjendje gatishmëri të lartë luftarake. Arsyeja për këtë vendim, sipas tij, lidhet me zgjerimin e NATO-s dhe me provokimet në kufijtë e Bjellorusisë.
“Sot, ne shohim qartësisht një valë të re zgjerimi të NATO-s dhe një vendosje të paprecedentë armësh të vendeve anëtare të Aleancës në rajon. Përfshirë në vende pranë kufijve tanë. Thuajse çdo ditë, rojet tona kufitare, dokumentojnë lloje të ndryshme provokimesh në kufijtë shtetërorë që ndërmerren nga vende fqinje, nga hedhja e trupave të pajetë e deri tek dërgimi i dronëve brenda Bjellorusisë”, tha ai.
“Në të njëjtën kohë, po vijohet me ndërtimin e mureve dhe pengesave kufitare. Kufiri është i fortifikuar dhe i minuar në anën ukrainase. Ka shumë zhvillime në kufi, më saktë në anën tjetër të tij. Gjenerata jonë po kalon një test stresi. Kemi një mision për të ruajtur paqen, që është luftuar nga miliona baballarët dhe gjyshërit tanë. Kjo nënkupton vetëm një gjë: ne duhet të jemi më të fuqishëm se kërcënimi që hedh hijen e tij mbi tokën tonë edhe njëherë. Sërish, kërcënimi vjen nga perëndimi. Siç mund të shikoni, historia po përsëritet”. (A2 Televizion)