
Këto janë Sara dhe Stejsi. Ato kanë zgjedhur një karrierë në teknologji, një fushë që i sheh vajzat zakonisht me skepticizëm. Por këto vajza, kanë zgjedhur të çajnë vetë rrugën e së ardhmes, duke u formuar në këto profesione dhe duke arritur të na frymëzojnë.
Sara është një nga fitueset e bursës për vajza që trajnohen në programet e graphic design. Edhe pse e vogël në moshë, ajo shprehet e bindur për zgjedhjen e saj në karrierë, duke e parë njëkohësisht teknologjinë si profesion që e mban larg monotonisë dhe e frymëzon me çdo risi.
Ka edhe nga ato vajza të cilat kanë lënë kukullat dhe argëtimet e moshës, duke i zëvendësuar me robotë. Sepse teknologjia nuk është vetëm për djem dhe nuk është kurrë herët për të mësuar.
Mungesa e informacionit për këto degë të së ardhmes që fuqizohen dita ditës, por edhe mungesa e mbështetjes nga familja, reflekton një interes të vogël për këtë fushë në tregun tonë, kryesisht nga vajzat.
E ardhmja i përket teknologjisë dhe inovacionit, një pohim që është bërë më i besueshëm se kurrë edhe në Shqipëri, veçanërisht pas pandemisë, ku shumë sektorë u detyruan që të riorganizohen dhe në një kohë rekord të ofronin shitjet online, siç ishte industria ushqimore apo ajo farmaceutike, duke ofruar kështu një mundësi zhvillimi për veten dhe konsumatorët. (A2 Televizion)