
Vaksina anti-covid do të jetë në dispozicion në Gjermani nga ditët e para të janarit 2021. Lajmi është dhënë nga shefi i stafit të kancelares gjermane, Helge Braun për Bild.
Mjeku i trajnuar thotë se ai është i përgatitur të ndihmojë vetë në vaksinimin e njerëzve.
"Kjo nuk do të funksionojë në çdo orë të ditës ose natës, por gjatë fundjavës jam gati të bashkohem".
Ai tha se nuk beson që vaksinimet mund të fillojnë tashmë në gjysmën e dytë të dhjetorit, siç është thënë deri më tani edhe brenda qeverisë.
"Unë mbështetem në faktin se ne mund të fillojmë vaksinimin në ditët e para të vitit të ri".
Autoritetet e Bashkimit Evropian pritet të marrin një vendim deri më 29 dhjetor për miratimin e vaksinës së parë për përdorim. Gjermania po bën gati qendrat speciale të vaksinimit. Lajmi vjen ndërsa Britania përgatitet të fillojë vaksinimet ndaj koronavirusit këtë javë.
Shifrat e infeksionit në Gjermani janë stabilizuar që nga mbyllja e pjesshme më 2 nëntor, por nuk janë ulur. Të hënën, qendra kombëtare e kontrollit të sëmundjes raportoi 12 332 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit, krahasuar me 11 168 një javë më parë dhe 147 vdekje të reja.
Kufizime të tilla si mbyllja e restoranteve, bareve, ambienteve sportive dhe të kohës së lirë do të zgjasin të paktën deri më 10 janar, ndërkohë që disa rajone po marrin ose po mendojnë për masa më të ashpra. Braun tha se duhen kufizime më të rrepta "të paktën në zonat e nxehta". (A2 Televizion)