Valsi vjenez, dikur një vallëzim i ndaluar

Nga A2 CNN
29 Prill 2023, 23:00 | Lifestyle

Sot është simbol i një balloje vjeneze, por dikur shihej si një shfaqje rebelësh që pëlqehej vetëm nga adoleshentët dhe shpërfillej nga më të mëdhenjtë. Kur valsi u vallëzua për herë të parë nëpër sallat e Vjenës, shkaktoi zemërim të madh, mirëpo njëkohësisht solli ndryshime vendimtare në zakonet shoqërore evropiane.

Origjina e emrit vals vjen nga walzen - në gjermanisht "të rrotullohesh" - dhe mendohet se mund të ketë evoluar nga muzika popullore e rajonit perëndimor të Austrisë. Të tjerë studiues e lidhin koreografinë e valsit me një vallëzim çiftesh të shekullit të 16-të. Cilado qoftë origjina e tij e saktë, nga fundi i viteve 1700, u përhap shumë shpejt në të gjithë Evropën. Veçanërisht u bë i popullarizuar në mesin e të rinjve të shtresave të mesme e të pasura të cilët po hidhnin poshtë zakonet aristokratike të të moshuarve.

Valsi i dikurshëm nuk ishte shumë i ngjashëm me koreografinë e sotme. Partnerët në vallëzim qëndronin më pranë njëri-tjetrit, teksa rrotulloheshin në pistë. Një skenë nga romani i Gëtes “Vuajtjet e djaloshit Verter”, përshkruan një skenë emocionuese vallëzimi.

 “Valsi filloi dhe kërcimtarët rrotulloheshin rreth njëri-tjetrit në labirintin e çmendur. Kurrë nuk kam kërcyer më lehtë. E ndjeva veten më shumë se të vdekshëm duke mbajtur në krahë një krijesë të bukur, duke fluturuar me të aq shpejt sa era, derisa humba nga sytë çdo objekt tjetër.”

Pjesë nga romani i Gëtes, “Vuajtjet e djaloshit Verter”

"Një sjellje imorale"

Kritikët konservatorë sigurisht që ishin shumë të zemëruar, duke e konsideruar valsin vulgar. Deri atëherë, kërcimtarët mund të kapeshin për dore teksa realizonin një koreografi komplekse. Në vitin 1833, një manual britanik i sjelljeve të mira rekomandonte që vetëm gratë e martuara të kërcenin vals, ndërsa për pamartuarit konsiderohej një sjellje imorale.

Asnjë nga këto thirrje nuk e pengoi përhapjen e valsit. Popullariteti i tij çoi në krijimin e sallave të mëdha të vallëzimit. Në 1760, një soprano veneciane, Teresa Cornelys, hapi në Londër një nga të parat salla në Evropë. Pjesëmarrësit në të mund të darkonin, të luanin letra, të dëgjonin muzikë dhe sigurisht të kërcenin vals. Shpejt e ndoqën shembullin edhe kryeqytetet e tjera evropiane. Në epiqendrën e valsit, Salla Apollo e Vjenës kishte pesë pista vallëzimi në fillim të viteve 1800. Të rinjtë e përqafuan me entuziazëm modën e re, e cila do të zgjaste për dekada me radhë. Popullariteti i valsit u përhap edhe në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht pas Luftës Civile. U shfaqën versione amerikane të vallëzimit, të tilla si Boston Waltz, ose Boston Dip.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/11/25/festat-e-babezitura-te-aristokracise-romake/

A2 CNN Livestream

Latest Videos