
Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, shprehu mbështetjen e tij për Ballkanin e Hapur. Gjatë fjalës në samitin e Ohrit, ku është i pranishëm si vëzhgues, Varhelyi tha se nisma është pozitive.
“Ballkani i Hapur duhet të vazhdojë, Më vjen mirë që shoh sot sesi do të nënshkruhen marrëveshjet dhe sesi kanë ndikuar për mirë marrëveshjet e mëparshme. Vlerësoj se derisa nisma e Ballkanit të Hapur bazohet në përshpejtim dhe adaptim të normave të Bashkimit Europian, ne do të jemi këtu që t’iu mbështesim që të arrijmë rezultate më të larta. Mendoj që kjo është shumë nismë pozitive, kjo është e ardhmja që mund të krijojmë që sot”, tha Varhelyi.
Përveç Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në samitin e Ohrit marrin pjesë si vëzhgues edhe Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, ndërsa Kosova vazhdon të refuzojë. (A2 Televizion)