
Pasi gati e gjithë bota kufizoi udhëtimet nga Britania e Madhe për shkak të variantit të ri të koronavirusit, tani është radha e shtetit ishull për të vepruar.
Sipas një urdhri të ri, të gjithë pasagjerët ndërkombëtarë që do të duan të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, duhet të tregojnë testin negativ për covid-19.
Qytetarët që do të udhëtojnë me avion, tren apo traget, përfshirë edhe ata britanikë, do jenë të detyruar t'i nënshtrohen testit, 72 orë para se të largohen nga vendi ku ndodhen. Sekretari për transportin, Grant Shapps theksoi se pasagjerët nuk mund të nisnin udhëtimin pa testin negativ.
"Ashtu siç nuk mund të udhëtoni dot pa pasaportë, apo pa vizë nëse shkoni në Shtetet e Bashkuara, nuk do të mund të udhëtoni nëse nuk keni testin negativ për koronavirus. Por, edhe me test negativ, të ardhurit nga vende që nuk janë në listën e korridorit të udhëtimeve duhet sërish t'i nënshtrohen karantinës", u shpreh ai.
Sekretari për transportin tha se ky hap po ndërmerrej mes shqetësimeve për variantin e ri të virusit që po qarkullon në Afrikën e Jugut, i cili ka alarmuar shkencëtarët. Varianti afrikano jugor ka pësuar disa ndryshime të rëndësishme të cilat po monitorohen me kujdes. Por, edhe pse ka shumë pak gjasë që mutacionet do të ndikojnë tek efekti i vaksinës, shkencëtarët po kryejnë studime, për t'u siguruar se imunizimi do të funksionojë.
Në skenarin më të keq, brenda pak javësh ose muajsh, vaksinat mund të rikonceptohen për t'iu përshtatur më mirë variantit të ri. Britania raportoi mbi 1100 vdekje në 24 orët e fundit e mbi 52 mijë raste të reja. (A2 Televizion)