
Situata e zjarreve në vendin tonë vijon të mbetet problematike, ku çdo ditë shfaqen vatra të reja në zona të ndryshme të vendit. Përveç vatrave problematike në veri të vendit siç është ajo në malin e Tërbunit në Pukë, Katund i Vjetër në Rubik dhe Majën e Rrunës në Kukës, dy vatra të reja zjarrit janë shfaqur mbrëmjen e së martës në juglindje të vendit në fshatin Vloçisht në Maliq dhe në Rrajcë të Përrenjasit.
Më problematike shfaqen vatrat në Rrajcë pranë Fshatit Skënderbe ku flakët kërcënojnë edhe një zonë natyrore të mbrojtur nga UNESCO.
Janë 4 vatra aktive dhe 26 punonjës nga ADZM dhe zjarrfikës të Prrenjasit në terren po punojnë me mjete rrethanore pasi është terren i vështirë.
Dhjetëra efektivë kanë filluar përpjekjet nga toka për të lokalizuar flakët, por terreni dhe era kanë vështirësuar së tepërmi këtë operacion. Gjatë ditës së sotme në varësi të situatës do të vlerësohet edhe ndërhyrja nga ajri në këtë zonë. (A2 Televizion)