Rikthimi i protestave kundër qeverisë këtë fundjavë në Irak ka qenë fatal për dhjetëra persona që morën pjesë në to. Raportohet se vetëm në dy ditët e fundit, në protestat kundër qeverisë së kryeministrit Adel Abdul Mahdi, 67 persona janë vrarë dhe mbi 2000 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Duke parë se situata mori përmasa të mëdha, autoritetet nxorën në rrugët e Bagdadit dhe Nasiriyas forcat elitë të antiterrorizmit, të cilët ishin urdhëruar të përdornin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund protestës.
Rreth mesnatës së të shtunës forcat antiterror morën kontrollin e pikave kyçe në qendër të Bagdadit dhe nisën të shpërndanin turmën e pranishme duke përdorur forcën dhe gazin lotsjellës. Raportohet se dhjetëra protestues të tjerë janë vënë në pranga, pasi nuk iu përgjigjën thirrjes së autoriteteve për t’u larguar.
4 persona u vranë pasi u goditën drejtpërdrejt nga fishekët e gazit lotsjellës në Bagdad, 4 të tjerë u qëlluan për vdekje në Nasiriya, pasi turma hyri në një ndërtesë të qeverisë dhe rojet hapën zjarr. Ndërsa shumë protestues të tjerë u vranë në Hilla nga militantët e Badr Organization, e cila mbështetet nga Irani. (A2 Televizion)