Vdekja e të riut në burg, Berisha: Një krim tjetër horror shtetëror

Nga A2 CNN
21 Maj 2023, 13:25 | Politikë
Vdekja e të riut në burg, Berisha: Një krim tjetër horror

Ish kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar vdekjen në burg të të riut Jani Rustemi, si një krim shtetëror. Berisha thotë se Rustemi humbi jetën për shkak të dhunës së policisë, ose siç i quan ai “banditë me uniformë”. Ai i bën thirrje Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Antitorturës të Këshillit të Europës që të bëjnë hetime për të zbardhur të plotë ngjarjen.

“Një krim tjetër horror shtetëror!

I riu, Jani Rustemi i ndaluar nga policia, u dërgua në gjendje kome pas keqtrajtimit shtazarak nga kriminelët me uniformë dhe vdiq dje në QSUT.

Ai mbahej në paraburgim me akuzën se kishte kishte marrë pa leje një qilim. Familjarët dëshmojnë se në paraburgim ndaj Janit është ushtruar dhunë e egër nga banditë me uniformë.

Kjo është vrasja shtetërore e radhës nga kriminelë me uniformën e një qytetari të ndaluar nga policia.

I shpreh ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe si vrasje të mirëfilltë shtetërore të Jani Rustemit.

I bëj thirrje Avokatit të Popullit të hetojë me përparësi dhe denoncoj publikisht këtë akt kriminal të banditëve me uniformë. I bëj thirrje Komitetit të Antitorturës të Këshillit të Europës të ndërmarrë hetime për vrasjen me tortura të Jani Rustemit dhe shumë të rinjve të tje nga xhelatë me uniformë në burgjet dhe paraburgimet e narkoshtetit të Shqipërisë”, shkruan Berisha.

27-vjeçari Jani Rustemi, ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror në QSUT e ndërsa ndërroi jetë një ditë më parë. I riu, i cili banonte në Tiranë, ishte i arrestuar për vjedhje ndërsa ka pasur precedent të mëparshëm. 27-vjeçari la pas dy fëmijë dhe bashkëshorten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos