
Gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi, në studion e “Debat” nga Alba Alishani, komentoi ngjarjen ku humbën jetën 4 turistë rusë, të cilët po qëndronin në një hotel në Qerret të Kavajës.
“Versionet kanë qenë të shumta sa i përket humbjes së jetës së 4 turistëve rusë. Duket se hipoteza e vdekjes nga klori ka rënë, për shkak të dëshmisë së punonjësit, i cili ka thënë se ka kryer të njëjtin ritual që kryen gjithmonë, duke respektuar protokollin. Në fillim ka pastruar pishinën, më pas ka pastruar të gjithë filtrat dhe në fund ka hedhur një gotë klor pluhur. Por, ka një tjetër problem: analizat e mostrave të ujit janë kthyer mbrapsht, pasi Instituti i Shëndetit Publik mendon se duhet të jenë ekspertët e tij që t’i marrin mostrat dhe jo prokuroria apo policia. Pra, pritet ekspertiza e mostrave të ujit dhe ka një dëshmi të punonjësit, që thotë se ka hedhur 1 gotë klor në 60 tonë ujë. Mendoj se autoritetet duhet të rrëzojnë pistën e klorit”, deklaroi Kasapi.
“Unë mendoj se vendngjarja hetohet në 24 orët e para dhe ndërkohë që hoteli në Qerret vijon të jetë skenë krimi, mendoj se është tepër vonë tani që të vazhdohet me mostra uji, me klor apo me rrjedhje gazi. Duhet të shohim tani pjesën ekstreme: vrasje në rrethana cilësuese. Ashtu siç policia bën referim që mund të bëhet fjalë për vrasje, duhet të mendojmë se ka ndodhur ekstremi, paçka se edhe kjo hipotezë mund të bjerë më vonë. Duhet menduar për një hetim sa më të mirë dhe jo të marrim tani mostra uji. Për të mësuar nëse kemi të bëjmë vrasje me agjentë biologjikë, do të duhet një ekspertizë më e thelluar jashtë vendit tonë”, shtoi Kasapi. (A2 Televizion)