
Viktimat nga koronavirusi mund të dyfishohen brenda pak ditësh, ndërsa amerikanët festojnë Falënderimet me familjet e tyre, tha një ekspert për CNN të enjten.
Më shumë se 100 000 raste të reja janë raportuar çdo ditë që nga 3 nëntori dhe shtrimet në spital gjithashtu janë rritur ndjeshëm.
Mbi 2000 amerikanë kanë humbur jetën si pasojë e virusit, të martën dhe të mërkurën, shifrat më të larta të raportuara që nga maji.
Jonathan Reiner, një profesor i mjekësisë në Universitetin George Washington, u shpreh për CNN se numri i vdekjeve do të dyfishohet në 10 ditët e ardhshme, duke shkuar në 4 mijë në një ditë.
"Unë pres që niveli ditor i vdekjeve të dyfishohet në 10 ditët e ardhshme. Ne do të shohim afër 4000 viktima në ditë", tha Reiner.
Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se rastet do të rriteshin gjatë muajve të dimrit, pasi moti më i ftohtë i detyron njerëzit të kalojnë më shumë kohë brenda, ku virusi mund të përhapet më lehtë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve këshilluan amerikanët që të mos udhëtojnë për Falënderimet, ndërsa Task Forca e koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë u kërkoi shteteve të bënin ndryshim të ndjeshëm të sjelljes, për të luftuar përhapjen agresive dhe të shpejtë të rasteve gjatë pushimeve.
Më shumë se 12.7 milionë amerikanë janë infektuar që nga fillimi i pandemisë, sipas Universitetit Johns Hopkins, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 262 000. (A2 Televizion)