Vdes në burg kryemafiozi që pëlqente “Cadillac”

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2022, 21:46 | Bota
Vdes në burg kryemafiozi që pëlqente “Cadillac”

Ka ndërruar jetë në burg në moshën 89 vjeçare mafiozi i njohur nga New England,  Francis "Cadillac Frank" Salemme.

I dënuar me burg përjetë për akuzën e vrasjes, Salemme ishte drejtuesi i familjes famëkeqe të krimit “Patriarca” në vitet 1990, e njohur ndryshe dhe me emrin Mafia e New England.

Ai ishte dënuar për disa krime dhe së fundmi u burgos në vitin 2018 për vrasjen në vitin 1993 të pronarit të klubit të natës në Boston, Steven DiSarro.

"Cadillac Frank" e kaloi pjesën më të madhe të jetës i përfshirë në luftëra bandash dhe kishte marrë pjesë në disa vrasje të lidhura me bandat në Boston në vitet 1960.

Ai kishte kaluar më parë 16 vjet pas hekurave për tentativën për të vrarë avokatin John Fitzgerald duke hedhur në erë makinën e tij në vitin 1968. Fitzgerald humbi një këmbë nga ky atentat, por mbijetoi.

Salemme u dënua më vonë për shantazh në 1995, së bashku me gangsterin famëkeq të Bostonit James "Whitey" Bulger. Rasti zbuloi se shoku më i mirë i Bulger dhe Salemme, Stephen "The Rifleman" Flemmi kishte punuar fshehurazi si informator i FBI-së.

Salemme u lirua në fillim të vitit 2003 pasi shërbeu si informator dhe ndihmoi prokurorët të dënonin një agjent të korruptuar të FBI-së. Por zbulimi i eshtrave të DiSarros në vitin 2016 e bëri atë sërish një objektiv të hetuesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos