Vdes në burg sheiku xhihadist, shi me raketa drejt qyteteve izaelite

Nga A2 CNN
2 Maj 2023, 07:55 | Bota
Vdes në burg sheiku xhihadist, shi me raketa drejt qyteteve izaelite

Dhjetëra raketa janë hedhur nga militantët palestinezë, mbrëmjen e kaluar, në drejtim të Izraelit, pas lajmit për vdekjen në burg të sheikut Khader Adnan, një prej drejtuesve të xhihadit islamik në Cisjordani.

Burime nga ushtria izraelite bëjnë me dije se disa nga raketat ranë në zona të hapura, fatmirësisht pa shkaktuar viktima apo dëme materiale.

Vdekja e Khader Adnan shkaktoi reagim të menjëhershëm te xhihadistët islamikë në Gaza, të cilët akuzuan Izraelin si përgjegjës për vdekjen e Adnan në burg.

Ata kërcënuan se kjo vdekje nuk do të kalojë pa përgjigjen e duhur.

Në njoftimin zyrtar, shërbimi i burgjeve izraelite bën me dije se sheiku 44-vjeçar, Khader Adani ndërroi jetë si pasojë e një greve urie që ai mbajti për më shumë se 86 ditë, duke refuzuar ushqimin. Ai u gjet pa shenja jete në qeli dhe u dërgua në spital ku u shpall i vdekur.

Adnan u arrestua nga policia izraelite në muajin shkurt, nën akuzën se ishte pjesë e një organizate terroriste. Vdekja e tij, sipas ekspertëve, pritet të sjellë akte të reja dhune në rajon për shkak të popullaritetit që gëzonte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos