Vendet pritëse si Italia pritet të shpërblehen nga BE me 22,000 euro për çdo emigrant

Nga A2 CNN
31 Maj 2023, 17:10 | Bota
Vendet pritëse si Italia pritet të shpërblehen nga BE me 22,000

Fluksi i lartë i emigrantëve nga Afrika Veriore që mbërrijnë me varka në brigjet e Italisë duket se ka ‘zgjuar’ nga gjumi Bashkimin Europian, teksa një plan masash po hartohet dhe parashikon shpërblim për çdo refugjat që zbarkon aty.

BE-ja dëshiron të kompensojë shtetet që janë më përgjegjëse për problemin duke ofruar 22,000 euro për emigrant.

Shifra e cila përflitet në media dhe ka dalë nga burime konfidenciale të mediave italiane nga grupi i negociatorëve të ambasadorëve evropianë në javët e fundit, do të detyronte vendet që nuk pranojnë një rialokim të emigrantëve të paligjshëm në territoret e tyre, të paguajnë kompensim për shtetin pritës.

Sipas skemës për emigrantët që mbërrijnë në Siçili ose në Kalabri, Italia ka të drejtë të transferojë një pjesë të tyre, për shembull në Poloni, por nëse Varshava refuzon, atëherë ajo do të duhet të dorëzojë mallra, ndihmë në personel ose para te Roma zyrtare për të plotësuar shifrën prej 22.000 euro.

Negociatat janë ende duke u zhvilluar aktualisht në Bruksel për Paktin e ri për emigrantët dhe azilantët dhe duket se qeveria italiane e ka përqafuar me shumë dëshirë idenë për shpërblimin 22.000 euro.

Por dosja e përpiluar nga Komisioni dhe Presidenca suedeze shtetet e ashtuquajtura grupi i Vishegradit, nga Polonia në Hungari e deri në Republikën Çeke, e që në teori janë të gjithë aleatë të ngushtë të Giorgia Melonit, kanë dalë kundër saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos