Vendimet e UEFA, gjobë e majme për Partizanin, vlerësim maksimal për Vllazninë

Nga A2 CNN
11 Gusht 2022, 19:52 | Futboll
Vendimet e UEFA, gjobë e majme për Partizanin, vlerësim maksimal

Incidentet në fundin e ndeshjes Partizani-Saburtalo janë shoqëruar me dënime të ashpra nga UEFA. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Nyon vendosi gjobë të majme për klubin e kuq, ku ngjarja më e rëndë ishin sendet e forta të hedhura nga tifozët, në momentin kur Partizani u eliminua nga turi i parë i Conference League pas ekzekutimit të penalltive.

Për ngjarjet e 14 korrikut në Arenën Kombëtare, Partizani u gjobit me 30 mijë euro, si edhe detyrohet të luajë me stadiumin e mbyllur pjesërisht në ndeshjen e ardhshme ndërkombëtare. Gjithashtu të kuqtë u gjobitën me 21 mijë euro të tjera për flakadanët, trazirat në tribuna, pushtimin e fushës dhe dëmtimin e tribunës ku ndodheshin.

E kundërta ndodhi me Vllazninë, për sfidën e turit të dytë të Conference League përballë Universitatea Craiova. Stadiumi Loro Boriçi ishte i mbushur me kapacitet të plotë dhe ajo ndeshje në Shkodër u kthye në festë.

Presidenti i klubit, Alban Xhaferi njoftoi se “klubi mori vlerësim shembullor nga UEFA”, sepse për herë të parë në 30 vjet, mes penaliteteve dhe eksperiencave jo të mira, gjatë ndeshjeve ndërkombëtare nuk u regjistrua asnjë incident.

UEFA vlerësoi sjelljen e tifozëve dhe masat organizative të marra nga kuqeblutë, duke e informuar klubin se pas mbledhjes së 8 gushtit, Vllaznia dhe stadiumi “Loro Boriçi” janë vlerësuar me nivel maksimal të sigurisë dhe atmosferë e sigurt për zhvillimin e çdo ndeshje ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos