
Në “Intervistë me Merita Haklaj” Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike ka komentuar vendimin e sotëm të Apelit të Tiranës që vendosi të dërgojë në rigjykim në Shkallë të Parë çështjen për drejtimin e Partisë Demokratike.
Sipas Krasniqit, përpjekja e dy grupeve që quhen PD, për ta besuar legjitimitetin e tyre të një gjyqtari, kushdo qoftë ai, mendoj që është një non-sens dhe ndoshta edhe një naivitet në aspektin politik.
Ai vijoi më tej duke thënë se Partia Demokratike e krijuar në vitet ’90 nuk ekziston më si e tillë, ndërsa vijoi duke thënë se, në atë parti është shuar mendimi politik, është shuar ai që quhet maturia e individëve që shohin përtej mandateve të veta dhe përtej interesave të veta.
“Unë nuk di një rast kur Gjykata ka vendosur se kush është kryetari i një partie politike dhe se kush është grupi që i përket dhe grupi që nuk i përket një partia politike. Përpjekja e dy grupeve që quhen PD, për ta besuar legjitimitetin e tyre të një gjyqtari, kushdo qoftë ai, mendoj që është një non-sens dhe ndoshta edhe një naivitet në aspektin politik.
Mendoj që dy palët gabuan nga mënyra se si u sollën. Të dyja palët po humbasin dhe sot që ne flasim, tashmë de facto PD nuk ekziston më. De jure ekziston edhe sikur gjykata të vendoste ndryshe, de jure do ekzistonte. Por, Partia Demokratike e krijuar në vitet ’90 nuk ekziston më si e tillë. Ekzistojnë vetëm dy grupime. I vetmi efekt është që, për pak ditë njëri nga subjektet do të detyrohet që të regjistrohet, por edhe në këtë rast nuk hyjnë në lojë mekanizmat e presionit të datës, as të presioneve të konferenca ve të shtypit, as mitingjet.
Hyn në lojë politika. Do duhet të kishte negociata, do duhet të kishte marrëveshje mes tyre. Si është e mundur që të njëjtët individë që drejtojnë këto fraksione kanë bërë marrëveshje me Partinë Socialiste ndër vite dhe nuk bëjnë marrëveshje midis tyre. Në atë parti është shuar mendimi politik, është shuar ai që quhet maturia e individëve që shohin përtej mandateve të veta dhe përtej interesave të veta.” (A2 Televizion)
Afrim Krasniqi