Represioni mesjetar i talibanëve po e rikthen Afganistanin në situatën e dy dekadave më parë, kur kontrollonin vendin para se të lenin pushtetin pas sulmeve amerikane dhe të aleatëve perëndimorë, të akuzuar si bashkëpunëtorë të Osama Bin Laden.
Gratë janë më të goditurat nga masat strikte, dhe më i diskutuari është vendimi për përjashtimin e tyre nga universitetet. Një masë që po sjell edhe reagimin solidar të kolegëve të tyre meshkuj, që gjithmonë e më hapur po i bashkohen protestave. Pamjet më të fundit tregojnë si studentët e universitetit refuzojnë të kryejnë provimin dhe dalin të gjithë së bashku mes duartrokitjeve të kolegëve të tyre që prisnin jashtë.
Por orët e fundit një tjetër protestë e bujshme bëri xhiron e rrjeteve sociale, dhe përfshin një pedagog të universitetit të Kabulit, i cili gjatë një interviste në një studio televizive pikërisht për vendimin e marrë nga talibanët, fillimisht radhiti të gjithë diplomat dhe dëshmitë e marra gjatë viteve, dhe më pas filloi t’i griste.
“Nga sot nuk kam asnjë nevojë për këto diploma, sepse Afganistani nuk është një vend për Arsimin. Në qoftë se motra ime nuk mund të studiojë atëherë unë refuzoj të njohë këtë sistem”, ishin fjalët e tij, që evidentojnë një refuzim të fortë të elitave të atij vendi për t’iu rikthyer një epoke tragjike. (A2 Televizion)