
Pak ditë para mbajtjes së seancës ndaj tij në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta i kërkon shpjegime gjykatës mbi çështjen e shkarkimit. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Kushtetueses, Meta ngre pretendime mbi vlefshmërinë e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e tij, nën argumentin se legjislatura që dha 104 vota pro shkarkimit, pushoi së ekzistuari më 9 shtator.
“Kjo kërkesë, që prej datës 1 korrik 2021 e Presidentit të Republikës, për shqyrtimin e çështjes brenda një afati sa më të shpejtë, lidhej ndër të tjera me faktin që Legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Shqipërisë i përfundonte mandati 4-vjeçar në datën 9 shtator 2021, çka kërkonte që dhe shqyrtimi gjyqësor i çështjes për të cilën kjo legjislaturë investoi Kuvendin, duhej të përfundonte brenda kësaj date”, shprehet Meta në letër.
Presidenti kërkon të hedhë poshtë çështjen edhe procedurialisht, nën pretendimin se nuk janë respektuar të gjitha mekanizmat ligjorë për shqyrtimin e një çështjeje: “Përmes Drejtorit të Kabinetit, ju kam shprehur qëndrimin dhe shqetësimin mbi disa çështje dhe kam kërkuar nga Gjykata Kushtetuese informacion përmes kërkesave me nr. 3290/11 dhe nr. 3290/3 dhe kam pritur përgjigje të plotë zyrtare. Por, për asnjë nga këto shkresa nuk kam marrë përgjigje. Nisur nga qëndrimi që keni mbajtur, jam i detyruar të përcjell këtë kërkesë me qëllim që Gjykata Kushtetuese jo vetëm të marrë masa për të garantuar të drejtat e palëve në proces, por dhe të sigurojë transparencë mbi veprimtarinë e saj, si tregues i legjitimitetit të kësaj Gjykate”.
Në fund të shkresës, Presidenti i kërkon gjykatës që t’i vërë në dispozicion përgjigjet, 24 orë para mbajtjes së seancës që do të vendosë fatin e tij. (A2 Televizion)