Vendimi për PD-në, Krasniqi: Palët politike duhet të kërkonin falje

Nga A2 CNN
14 Mars 2023, 20:56 | Politikë
Vendimi për PD-në, Krasniqi: Palët politike duhet të

Komisioneri Shtetëror e Zgjedhjeve nuk e regjistroi Partinë Demokratike për zgjedhjet e 14 majit. Në mbledhjen e kësaj pasditeje, pala e Alibeajt, ashtu siç edhe kishte premtuar publikisht, nuk çoi dokumente shtesë më firmën e Lulzim Bashës që figuron në gjykatë si Kryetar i Partisë Demokratike. Ndaj, vendimmarrja e Ilirjan Celibashit ishte mosregjistrimi për palën e Alibeajt. Po ashtu, ai nuk pranoi edhe kërkesën e përfaqësuesve ligjor të Berishës për t’i regjistruar ata në 14 maj. Tashmë është radha e KAS-it, ku pala e Alibeajt do të ankimojë vendimin e Celibashit, të cilin e akuzoi se mori një vendim politik dhe duke shkelur rëndë ligjin.

Për këtë çështje u diskutua këtë të martë në Debat. Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike u shpreh se për asnjë lloj arsyeje teknike, KQZ nuk duhet të linte jashtë opozitën, pasi ka për detyrë të ndihmojë në zgjidhjen e problematikave dhe në këtë mënyrë dëmtohet demokracia.

“Ajo që është themelore, çdo vend demokratik i bën zgjedhjet për të pasur konkurrencë, për të pasur pluralizëm jetësor, funksional dhe për të pasur alternativa. Nuk mundet për asnjë lloj arsyeje teknike, për asnjë lloj faji, të thuash, që për të qenë korrekt me gërmën nuk do të lejojmë opozitën në zgjedhje sepse bie i gjithë sistemi. Pse duhet të ekzistojë KQZ-ja kur opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje sepse automatikisht, kur nuk e regjistron bie edhe e gjithë struktura e komisionerëve dhe struktura tjetër që lidhet me zgjedhjet. Nuk është çështje e fajit të KQZ-së, por ky institucion ka për detyrë të mos prishë zgjedhjet, por të ndihmojë në zgjidhjen e problematikave. Nëse ata do të kishin pasur një sjellje më stoike ndaj ligjit, situata do të kishte qenë krejt tjetër. Imagjinoni sikur nesër Kolegji të vendosë krejt ndryshe. Pyetja është, a do të japë njeri dorëheqje? A do të mbajë njeri përgjegjësi publike? Është një tallje deri diku me konceptin e demokracisë dhe të zgjedhjeve”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, për grupimet politike në PD, ai tha se duhet të kishin kërkuar falje që nuk gjetën zgjidhjen për t’u regjistruar.

“Çdo gjë që të bëjë Celibashi apo Kolegji, është e pashembullt sesi politikanë që duan të drejtojnë Shqipërinë dhe duan të fusin vendin në BE, janë kaq të paaftë të dialogojnë me njëri-tjetrin apo të bënin dokumentet në rregull për t’u paraqitur në një garë elektorale. Në vend që sot të kërkonin falje, jo vetëm mbështetësve të tyre, por edhe Shqipërisë dhe të reflektonin, ata bëjnë rolin e komisarit politik dhe hedhin poshtë diçka që vet e kanë miratuar më përpara”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/14/zgjedhjet-e-14-majit-kqz-nuk-regjistron-partine-demokratike/
https://a2news.com/2023/03/14/vendimi-per-pd-ne-krasniqi-kqz-u-tall-me-demokracine-palet-politike-duhet-te-kerkonin-falje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos