
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, u shpreh se arsyeja e mbylljes së shkollave për 3 ditë “është e njëjtë me arsyen që për të njëjtat kushte, edhe në vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria, shkollat mbyllen”.
“Temperaturat e 3 ditëve të fundit kanë qenë jo të zakonshme për një vend si ne. Jemi dëshmitarë që në zona në veri dhe juglindje, temperaturat shkuan deri në -17 gradë. Atëherë, ne jemi të detyruar dhe kemi përgjegjësi që të kujdesemi për sigurinë e nxënësve jo vetëm brenda mureve të shkollës, por që në momentin që dalin nga shtëpitë e tyre. Maqedonia e Veriut ka raportuar mbi 40 raste frakturash nga ecja në ngrica. Pra, arsyeja nuk lidhet me situatën e ngrohjes në shkolla, por me vështirësinë e rrugës dhe temperaturat jashtëzakonisht të ulta”, deklaroi Kushi.
“Në të njëjtën situatë u gjend edhe Greqia, që mbylli shkollat dhe Parlamentin ditën e hënë. Po kështu Turqia, Amerika apo Kanadaja. Vende shumë më të zhvilluara se ne morën këtë vendim, pasi raste të tilla ndodhin kudo. Një qeveri e përgjegjshme merr masa për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë”, shtoi Kushi.
Në lidhje me akuzat e opozitës për mungesën e ngrohjes në shkolla, Kushi deklaroi: “Në komunikim me bashkitë e vendit dhe zyrat arsimore, ne kemi marrë masat që në muajin nëntor. Ne kemi statistika të plota të të gjitha shkollave nëse kanë apo jo ngrohje dhe çfarë ngrohje kanë. Rezulton se në të gjithë vendin ka 36 shkolla pa sistem ngrohjeje. Në këto shkolla ka ngrohje vetëm me rezistenca dhe ne do të punojmë që edhe këto shkolla të kenë sistemin e tyre të ngrohjes”. (A2 Televizion)