
Institucioni i Avokatit të Popullit reagoi për shembjen e banesave në rrugën “5 Maji”.
Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyrë me arsyen se nga ana e Bashkisë Tiranë, së pari ka munguar transparenca lidhur me aktet që ka prodhuar, konkretisht Akt-Marreveshja për shkëmbim/dhurim të pronës e cila është e padetajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila eshtë pasuria që do t’u vihet në dispozicion banorëve në këmbim të pronës së marrë në kuadër të zhvillimit të zonës.
Nëpërmjet këtij ankimi, banorët pretendojnë se janë njoftuar vetëm për lirimin e objekteve në datën e përcaktuar, por nuk kanë asnjë informacion të mëtejshëm lidhur me strehimin e tyre. Banorët shprehen se po u merren banesat e tyre, por nga ana e Bashkisë Tiranë dhe strukturave të vartësisë nuk janë bërë me dije procedurat që do të ndiqen për garantimin e strehimit pas lirimit të godinave të tyre.
Në kushtet e situatës së tillë, Institucioni i Avokatit të Popullit u vu në lëvizje për hetimin e gjithë procedurës së ndjekur nga organet kompetente në përcaktim të qartë të situatës së krijuar. Nëpërmjet korrespondencës me Bashkinë Tiranë në kuadër të këtij hetimi u kërkua informacion i detajuar mbi arsyet se përse nga ana e kësaj Bashkie është arritur në konkluzionin se shpronësimi i banorëve të këtyre ndërtesave/objekteve të ndodhura në njësitë administrative nr.4 dhe nr.8 Bashkia Tiranë, është mjeti i vetëm për realizimin e qëllimit publik përkatës në këtë rast për zhvillim të zonës.
Interesimit të Institucionit të Avokatit të Popullit Bashkia Tirane dhe strukturat përkatës nuk i është përgjigjur në kohë dhe më tej informacioni i paraqitur është i përgjithshëm i paargumentuar dhe dokumentuar me aktet përkatëse.
Teksa Avokati i Popullit e vlerëson si pozitiv qëndrimin e shprehur në VKM e sipërcituar për mundësinë e pajisjes me apartament/banesë të të gjithë banorëve të prekur nga ky projekt, ai tërheq vëmendjen së pari për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët.
Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, sot më 2022 nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e pa-individualizuar dhe e pa-afatizuar.
Në vijim të ndjekjes së hetimit përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit kanë qenë prezent sërish edhe ditën e sotme në terren përgjatë ndërhyrjeve të IMT në prishjen e banesave në këtë zonë dhe do të vijojnë me ndjekjen e këtij problemi deri në qartësimin e të gjitha çështjeve të tij në respekt të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë. (A2 Televizion)