“Vetëm 400 lekë kam bërë sot, do t’ia dërgoj nënës”. Edhe druvarët mbesin pa punë

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2022, 15:17 | Aktualitet
“Vetëm 400 lekë kam bërë sot, do t’ia

Olsi Difi, 38-vjeçari nga Pogradeci, prej vitesh jeton me të ardhurat që nxjerr nga puna e krahut. Kushtet nuk i kanë mundësuar të krijojë një familje të tijën, ndërsa jeton me nënën. Vit pas viti, Olsi ka dalë në këto rrugë dhe si pa kuptuar ka kaluar thuajse një dekadë.

Dimri i ashpër në Pogradec për vite me radhë i ka mundësuar të siguronte disa para për jetesën. Me sëpatën në dorë, ai u priste drutë e zjarrit qytetarëve. Tani, kjo punë duket se e ka lënë në baltë 38-vjeçarin.

Pogradecarët nuk po blejnë më sasinë e druve si më parë, ndërsa e kupton që edhe rritja e çmimeve ka dhënë efektet e saj. “Ka rënë fare puna. Njerëzit nuk kanë lekë. Janë ushqimet shumë të shtrenjta. Një kile mish ka shkuar 12 mijë lekë”.

Kur e pyet se cilat janë të ardhurat e tij këto ditë të ftohta të jep këtë përgjigje. “2 mijë lekë bëmë me gjysmë metër kubi dru. Shkarkuam edhe dy divane dhe na dha edhe 2 mijë lekë të tjera. 4 mijë lekë kam bërë sot që t’ia çojë mamasë në shtëpi”, tregon Olsi.

Përveçse të çajë dru dhe te punojë si krah i lirë pune në ndërtim, Olsi nuk di të bëjë gjë tjetër, ndërsa dilema se si do të mbajë nënën dhe veten, duket se do të vijojë ta mundojë dhe stërmundojë kush e di edhe për sa kohë.

Si, Olsi janë me dhjetëra burra që çdo mëngjes i gjen në këtë pjesë të qytetit liqenor me sëpatë e motosharra në pritje të ardhjes së dikujt për të sharruar e çarë drutë e dimrit, por duket se kriza ekonomike tashmë e ka krijuar zinxhirin e saj duke dhënë efektet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos