Sesioni i ri parlamentar në Kosovë nisi me një dështim. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bojkotuan seancën e jashtëzakonshme ku duhej të diskutohej për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm. Pavarësisht mungesës së kuorumit, opozitës iu dha mundësia që të shprehte qëndrimin në foltoren e kuvendit.
“Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo qeveri i ka lënë nxënësit, fëmijët e Kosovës pa libra shkollor. Kjo është e turpshme, për më shumë është edhe shkelje e ligjit”, tha Memli Krasniqi, kryetar i PDK.
“Pamja në sallën e Kuvendit të Kosovës tregon shumë. Tregon se ku është qeveria e majtë, e cila e vrau të vetmin element të barazisë në shkollat fillore të Kosovës”, u shpreh Hykmete Bajrami, deputet i LDK.
“Kudo në secilin sektor që ky kryeministër dhe kjo qeveri ka prekur, aty ka qenë dështim. Veç mendoni pak, prekni kokën prej temave më të thjeshta që lidhen me ligjet bazike si ato të pagave dhe pagës minimale, të ekonomisë, zhvillimit, raportet me partnerët ndërkombëtar, sovranitetit, veriun, pra kudo që kanë prekur kanë krijuar kriza”, u shpreh Besnik Tahiri, deputet i AAK.
Kritika të forta patën për mungesën e përballjes.
“A ka diçka më të turpshme sesa ikja e shumicës dhe qeverisë. Prej kujt po ikni prej Albin Kurtit dhe teposhtë? Nuk po ikni prej neve, por po ikni prej qytetarëve, prindërve dhe mësimdhënësve”, u shpreh Krasniqi.
“Prej kujt po ikni, kujt po ia keni frikën. Nëse e keni me të drejtë, nëse mënyra e kompensimit pasi është edhe antiligjore se ligji e thotë, librat sigurohen dhe jo kompensohen atëherë pse nuk i kemi deputetët e mazhorancës që të vijnë këtu dhe të përballën me kritikat tona”, tha deputetja Bajrami.
Vetëvendosje sqaroi arsyen e bojkotimit të seancës. Deputeti i kësaj partie dhe kryesuesi i komisionit për Arsimin, Ardian Gola, tha se fillimi i vitit shkollor ka qenë i rregullt, ndërsa pretendoi se vendimi për librat ka eleminuar praktikat korruptive. Ai shtoi se Vetëvendosje bojkotoi seancën e jashtëzakonshme për librat sepse ajo ishte politike dhe me tendencë për të dëmtuar nxënësit. (A2 Televizion)
