
“1914” kështu titullohet vepra më e fundit e shkrimtares Flutura Açka, e cila rikthehet te letrat pas disa vitesh kapërcim në një territor tjetër, te politika. Vepra “1914” është një triologji e zhanerit roman historik, ku në fokus është Shqipëria e një shekulli më parë kohë kur në drejtim ishte Princ Vidi.
Përmes dokumenteve historike, rrëfimeve të kohës dhe udhëtimeve në vendet ku janë zhvilluar ngjarjet, Açka tenton të japë një tablo të plotë për vrasjen e kolonelit holandez Tomson, por edhe për rrugëtimin e të gjithë oficerëve holandezë në Shqipëri në 1914 për të ndërtuan xhandarmërinë gjatë sundimit të Princ Vidit.
“Ky libër ka nisur 30 vite të shkuara, kur unë u lidha me Holandën. Ndoshta me atë kureshtjen e njeriut, se çfarë të lidh me këtë vend, si do komunikosh, një nga gjërat e para që kam hasur ka qenë emri i kolonel Tomsonit.”
Kjo triologji është një roman historik, por vetë shkrimtarja thotë se ky libër përpiqet t’u japët përgjigje disa pyetjeve se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në 1914 por gjithmonë në kufijtë e rrëfimit artistik.
“Ndoshta përvoja në politikë më ndihmoi për t’i hyrë në thelb, ajo më ndihmoi që të isha sa më afër asaj që mund të kishte ndodhur në të vërtetë. Por ta them që në krye të herës, është një roman me sfond historik, por nuk është historia. Historinë e shkruajnë historianët”.
Rrëfimet e Açkës janë shumë pranë së vërtetës, pas notojnë gjithmonë në ujërat e letërsisë, por janë një shtysë për t’u thelluar më shumë në histori. Vetë shkrimtarja fton historianët që të gërmojnë më tej në arkiva për të zbardhur këtë faqe të historisë së Shqipërisë.
“Menjëherë pasi ndodhi vrasja e kolonelit nuk kishte më krisma, plaga e koloneli ishte një lule e vogël, por plumbi që është në Holandë të shpartallon. Të gjitha këto u mbeten historianëve për të dhënë konkluzionet e tyre, unë kam bërë një rrëfim asgjë më shumë”.
Në këtë triologji Flutura Açka ngre edhe disa pikëpyetje, por shton se nuk tenton të rishkruajë historinë edhe pse sipas saj nuk është asnjëherë vonë për të mësuar të vërtetën. (A2 Televizion)