
Lëvizja “Vetëvendosje” është ndër të paktat forca politike në Kosovë që kritikoi marrëveshjen e arritur mesditën e së premtes në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiu, Vetëvendosje e cilësuan marrëveshjen si shumë të dëmshme me anë të së cilës hoqën dorë nga pavarësia e Kosovës, ndanë Ujmanin dhe pranuan anëtarësimin në Mini-Shengenin.
Sipas Haxhiut një marrëveshje e tillë nuk mund të jetësohet.
“Hoti dhe delegacioni i tij i paligjshëm ia sollën Kosovës dëmet e radhës!
E quajtën "Marrëveshje historike për njohje" ndërsa hoqën dorë nga pavarësia e Kosovës e na sollën marrëveshje të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Ujmanin e ndanë me Serbinë, hoqën dorë nga anëtarësimi i Kosovës në Organizata ndërkombëtare, pranuan anëtarësimin në Mini-shengenin ballkanik e dalje Serbisë në Detin Adriatik. Marrëveshjet e dëmshme nuk mund të jetësohen’, shkruan Haxhiu. (A2 Televizion)