
Sebastian Vettel ka pranuar se aventura e tij me Ferrarin ka qenë e dështuar. Piloti gjerman, i cili është në vitin e tij të fundit me skuadrën italiane, deklaroi se objektivi i fitimit të titullit nuk u arrit, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë qenë vite të bukura.
“Objektivi i Ferrarit dhe objektivi im ishte që të fitonim kampionatin. Nuk e arritëm dot këtë objektiv. Në këtë aspekt, kemi dështuar. Por, kemi kaluar vite të bukura dhe nuk kam pishmane”, tha gjermani, i cili iu bashkua Ferrarit në vitin 2015.
Vettel ka përfunduar dy herë në vendin e dytë me makinën e kuqe.
“Jam i vjetër mjaftueshëm për të kuptuar se pse nuk fituam dot dhe jam i pjekur mjaftueshëm për të parë arsyet dhe për të ecur përpara. Ferrari ka qenë gjithmonë ëndrra ime, kur isha i vogël frymëzohesha nga Schumacher me makinën e kuqe. Është një markë shumë tërheqëse. E dija që nuk do të arrija sukseset e Schumacher me Ferrarin”, tha Vettel, i cili në karrierë e ka fituar 4 herë titullin kampion në F1, në të gjitha rastet me makinën Red Bull. (A2 Televizion)