Vidhte bizhuteri me vlerë dhe i shiste në një argjendari në Kamëz, pranga 39-vjeçarit

Nga A2 CNN
28 Prill 2022, 09:51 | Kronikë
Vidhte bizhuteri me vlerë dhe i shiste në një argjendari në

Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi ka vjedhur bizhuteri dhe sende të ndryshme me vlerë në banesa të ndryshme në kryeqytet.

Sipas Policisë 39-vjeçari nga Laknasi rezulton të jetë dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Ai u kap në flagrancë në vendin e quajtur “Dollari”, duke shitur bizhuteri të cilat i kishte vjedhur në banesën e një shtetasi.  

Policia njofton se ka sekuestruar 11 ora dhe bizhuteri të tjera floriri, që dyshohen se janë vjedhur nga ky shtetas.

Në këtë operacion u procedua penalisht edhe pronarja e argjendarisë në Kamëz, e cila përvetësonte dhe shiste bizhuteritë e vjedhura.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Gold".  

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 39 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale "Vjedhja", i dënuar më parë po për këtë vepër penale.

Shtetasi G. D. është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Dollari”, duke shitur bizhuteri të cilat i kishte vjedhur në banesën e shtetasit S. R.  

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas kryente vjedhje në banesa, në zonën e Kombinatit, Paskuqanit dhe në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas sendet e vjedhura i shiste në vendin e quajtur “Dollari” dhe në një argjendari në Kamzë.     

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronarja e argjendarisë në Kamzë, shtetasja N. Z., 58 vjeçe, banuese në Kamzë, për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale". 

Gjatë kontrollit, shtetasit G. D. iu gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me orat.   

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos