Vijon lufta Izrael-Hamas, mbi 50 sulme ajrore janë zhvilluar kundër militantëve në Rripin e Gazës gjatë së martës

Nga A2 CNN
19 Maj 2021, 11:36 | Bota
Vijon lufta Izrael-Hamas, mbi 50 sulme ajrore janë zhvilluar kundër

Izraeli thotë se e ka kthyer Hamasin shumë vite prapa, pas breshërisë së sulmeve ajrore, që siç pretendon ushtria e Tel Avivit, kanë goditur infrastrukturat dhe banesat e komandantëve të Hamasit me pasojë vdekjen e dy prej tyre. Lideri ushtarak i militantëve palestinezë, Mohammed Deif ka qenë disa herë në shënjestër të sulmeve.

“Jam informuar në detaje lidhur me sulmet ajrore kundër Hamasit dhe Xhihadit Islamik, të cilat kanë pësuar goditje të rënda. Nuk kam dyshime se i kemi çuar disa vite prapa. Operacioni ushtarak do të vazhdojë deri sa të rikthejmë qetësinë për qytetarët tanë”, u shpreh Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Sipas ushtrisë izraelite, mbi 50 sulme ajrore janë zhvilluar kundër militantëve në Rripin e Gazës gjatë së martës. Por përkundër këmbënguljes së Izraelit se shënjestron ekstremistët, viktimat civile dhe dëmet në infrastrukturë janë të shumta.

Të paktën 219 persona, përshirë 100 gra e fëmijë, janë vrarë në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli numëron 12 viktima.

“Pamja pas nesh tregon humanitetin e tyre. Po shkatërrojnë shtëpi ndërsa banorët janë brenda. Qytetarët largohen nga banesat gjatë natës, fëmijët e të moshuarit janëtë tmerruar”, u shpreh Ahmadal-Astal, banor i Gazës.

Me frikë dhe ankth po jetojnë edhe qytetarët izraelitë, ndërsa Hamasi ka vijuar me lëshimin e raketave, siç tha, duke shënjestruar një bazë ajrore në jug.

“Jemi në këtë situatë prej gati 20 vitesh. Fëmijët vuajnë nga ankthi, kanë frikë të flenë në shtëpinë e tyre. Siç e shihni po qëndrojmë në një vendstrehim dhe shpresojmë për më të mirën”, shprehet izraeliti Natanel Sharvit.

Ndërkaq, diplomacia vijon përpjekjet pas kuintave për ndërmjetësimin e një armëpushimi. Franca në koordinim me Egjiptin dhe Jordaninë hartuan një rezolutë me Këshillin e Sigurimit, përmes së cilës kërkohet fundi i dhunës. Megjithatë, bëhet fjalë thjesht për një draft. Burime të mbrojtes izraelite të cituara nga BBC thonë se për momentin nuk ka armëpushim në tryezë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos