
Policia e Shtetit vijoi operacionin “Plazh i Lirë” për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme, si dhe për goditjen e informalitetit dhe evazionit fiskal në turizëm, ndërtim dhe hidrokarbure.
Gjatë operacionit të fundit që u zhvilluar në Ksamil, Himarë, Vlorë e Divjakë, policia iu ktheu pushuesve mijëra metra katrorë plazh që ishin zaptuar në mënyrë të paligjshme. Vetëm në plazhin e Ksamilit policia liroi një hapësirë prej 10 000 m2. Në fund të operacionit policia procedoi penalisht 6 pronarë subjektesh, 5 në qarkun e Vlorë dhe një në Divjakë.
Mes të proceduarve penalisht është dhe n/kryetari i Bashkisë së Sarandës, pasi nuk ekzekutoi vendimin e kryetarit të Bashkisë për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil. U procedua penalisht në Jalë dhe administratori i një subjekti, pasi nuk lëshonte kupon tatimor dhe kishte mungesë dokumentacioni.
Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme. (A2 Televizion)