Kryeministri Rama ka publikuar edhe disa foto nga rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili duket se është në fazën e fundit të punimeve. Kreu i qeverisë nuk i ka shpëtuar paralelizmit me situatën e krijuar këtë kohë në ambientet e Teatrit Kombëtar.
“Dhe me këtë rast, kush ka sy të shikojë e mendje të mendojë, mund të shohë (edhe pse ende s’ka përfunduar Salla e Madhe e shfaqjeve) pa asnjë mundim, dallimin si nata me ditën mes pasionit tonë për të bukurën e për dinjitozen dhe lidhjes së pandashme me shëmtinë e me pisllëkun, të atyre që u vriten sytë nga drita e të resë. Ja kështu, njësoj, do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar i Fjalës, i cili përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjioze “BIG”. Kjo vlen edhe për ata që e kanë romuzin 3D në majë të gjuhës kur komentojnë, sepse para se të niste ky kantier, 3D ishte edhe kjo këtu”, shkruan kryeministri Rama në komentin e tij shpërndarë bashkë me fotografinë e një prej ambienteve të reja të Teatrit Të Operës dhe Baletit.
Mendohet që Teatrit i Operës dhe Baletit të jetë gati këtë fundvit për të pritur publikun. (A2 Televizion)