
Ndryshimet e bëra në Qeveri si dhe në kupolën drejtuese të Partisë Socialiste kanë shkaktuar hatërmbetje të reja brenda radhëve të saj. Erion Braçe ka zgjedhur rrjetet sociale për të treguar mërinë e tij, ndërsa mbështetësit e Taulant Ballës u treguan më të drejtpërdrejtë me Edi Ramën.
Më shumë se sa emrat e kabinetit të ri qeveritar, Asambleja e PS-së tërhoqi vëmendjen me ndryshimet brenda partisë. Emrat që bënë më shumë bujë ishin të goditurit Taulant Balla dhe Erion Braçe.
Të dy eksponentët socialistë duket se nuk e kanë mirëpritur vendimin e Edi Ramës që ua grisi spaletat.
Zëvendëskryeministri në detyrë edhe pak ditë, Erion Braçe duket se ditët e fundit të punës në ekzekutiv po i kalon në rrjete sociale duke lëshuar thumba të vazhdueshëm ndaj Ramës.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte fotografia e disa fëmijëve duke luajtur “kala dibrançe”. “Shokët në kurriz të njëri-tjetrit i reziston çdo kohe si stil jete”, thekson Braçe, ndërsa duket qartë se mesazhin e ka për kalanë socialiste.
Ndryshe nga Braçe që ra prej karriges së dytë të qeverisë, Taulant Balla ra prej numrit dy të partisë.
Ndonëse përgjatë ditëve të verës ishte emri më i lakuar si Kryetar Kuvendi, Balla jo vetëm që nuk u ngrit në detyrë, por Rama i hoqi një nga dy kungujt që mbajti përgjatë katër viteve, postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Sikur të mos mjaftonte e spostoi drejt Fierit, duke e larguar nga drejtimi politik i Elbasanit, qark ku kishte rrënjë pushteti i tij jo vetëm politik.
Për të shprehur pakënaqësinë e tij me vendimin e kryetarit, Balla shfrytëzoi ndeshjen e futbollit Shqipëri-Hungari ku një dron i mbështetësve të tij, fluturoi mbi “Elbasan Arena” me mbishkimi “Taulant Balla Elbasani ty të do”.
Nuk dihet nëse këto thirrje ishin efekti që Taulant Balla dëshironte të prodhonte, por e sigurt është se ia ka dalë të mbërrijë në telefonin e kryeministrit. (A2 Televizion)