Komisioni i Venecias e ka cilësuar si antikushtetues shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 2019-s, nga presidenti Ilir Meta. Në draftin paraprak dërguar palëve në Tiranë, të siguruar nga A2 CNN, Komisioni i Venecias, qenë përgjigjen e pyetjes së parë konstaton se kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore.
A mund të ketë Gjykata Kushtetuese juridiksion të vendosë për kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?
Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë "funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë" në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor.
Draft raporti i Komisionit të Venecias
Mbi pyetjen e Kushtetueses se cili nga dy konceptet prevalon mes periodicitetit dhe pluralizimit në zgjedhje, Venecia zgjedh të dytën, por nëse do të ekzistonte baza e nevojshme ligjore.
Cili prevalon, parimi i periodicitetit apo i pluralizmit politik?
Parimet e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të pluralizmit politik nuk ka gjasa të bien ndesh me njëri -tjetrin pasi ato shprehen në lloje shumë të ndryshme rregullash. Pluralizmi mund të jetë një qëllim legjitim për të ndërhyrë në periodicitet, por që të mbizotërojë ai qëllim, ndërhyrja duhet të ketë një bazë ligjore dhe të jetë proporcionale. Parlamenti ka një hapësirë të gjerë për të vendosur për sigurimin e një baze ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve; në mungesë të një baze të tillë, Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen si antikushtetuese.
Draft raporti i Komisionit të Venecias
Në pyetjen e fundit të Kushtetueses, mbi pasigurinë juridike dhe te drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje, Komisioni argumenton se besimi është përgjegjësi e institucioneve, por nuk është kusht ekskluziv për zgjedhjet demokratike.
Në një situatë të pasigurisë ligjore, a kanë penguar të drejtat e votuesve veprimet e autoriteteve publike dhe partive politike?
Mbetet bashkë-përgjegjësi e autoriteteve publike dhe e gjithë spektrit politik për të rikthyer besimin në institucionet shqiptare dhe në proceset zgjedhore. Kjo nënkupton përgjegjësinë e të gjithë këtyre palëve të interesuara për të promovuar dialogun politik midis të gjitha forcave politike, si dhe midis institucioneve kombëtare, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndër të tjera. Kjo nënkupton gjithashtu rivendosjen e një zgjedhjeje kuptimplote për votuesit. Të gjithë këta elementë janë parakushte esenciale, por jo ekskluzive, për zgjedhjet demokratike.
Draft raporti i Komisionit të Venecias
Ky Draft Raport pritet të miratohet në sesionin e kësaj jave të Komisionit të Venecias, për t’ju dërguar më pas Gjykatës Kushtetuese, që më pas duhet të marrë një vendim mbi fatin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019. (A2 Televizion)