
4 ditë nga largimi i trajnerit maqedonas, Mirsad Jonuz, Vllaznia ka gjetur emrin e ri të trajnerit që do të drejtojë skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit. Hysen Dedja, ish futbollisti shkodran do të ulet sërish në stolin e Vllaznisë.
Për herë të fundit, Dedja ka qenë trajner i Lushnjës në 2018-ën, vit në të cilin myzeqarët garonin në Kategorinë Superiore.
Në prezantimin e tij, trajneri Dedja u shpreh se skuadra do të tentojë të arrijë në zonën e Europës, ndërkohë që administratori i klubit Suad Lici dha garanci për të ardhmen e trajnerit.
“Mendimi do të jetë që objektivat të jenë madhore, që klubi të renditet në mesin e klasifikimit, pse jo edhe në zonën e kupave të Europës” deklaroi Dedja në konferencën për shtyp.
Kjo nuk është hera e parë që trajneri Hysen Dedja do të udhëheqë Vllazninë. 14 vite më parë, 59-vjeçari drejtoi për herë të fundit skuadrën shkodrane ndërkohë që ka qenë trajner i kuqebluve edhe më herët, ku ka arritur të fitojë titullin kampion në sezonin 1997-1998.
Aktualisht, Vllaznia renditet në vendin e 7 me të njëjtën kuotë pikësh si Partizani ndërsa në fundjavë u mposht në shifrat e thella 5 me 2 nga Laçi. (A2 Televizion)