Vlorë-Brindizi, mungon prej një jave linja e tragetit mes dy vendeve

Nga A2 CNN
8 Tetor 2019, 12:40 | Aktualitet
Vlorë-Brindizi, mungon prej një jave linja e tragetit mes dy vendeve

Prej një jave nga porti i Vlorës nuk ofrohet asnjë shërbim në linjën detare Vlorë-Brindizi. Kjo situatë ka ardhur për shkak se trageti që bën këtë linjë është në remont, ndërsa mjeti tjetër lundrues që firma kishte menduar për ta zëvendësuar, nuk pranohet nga autoritetet shqiptare me pretendimin se nuk plotëson standardet e sigurisë.

"Trageti që dublonte tragetin që është në riparim nuk i plotëson kushtet për të udhëtuar dhe qeveria shqiptare dhe ministria përkatëse nuk i kanë dhënë leje. I kanë përfunduar të gjitha licencat dhe nuk është traget i sigurt. Nuk mund të fusim në linjën Vlorë-Brindizi mjete ujore që nuk ofrojnë siguri”, u shpreh Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj.

Ndërkohë, nga kompania që ka marrë përsipër linjën detare Vlorë-Brindizi, konfirmojnë se trageti “Red Star” i ka të gjitha certifikatat e sigurisë nga porti i Brindizit në Itali dhe ai i Igumenicës në Greqi.

Përpos këtyre pretendimeve, Prefekti i Vlorës njoftoi se do të shikohet mundësia që në linjën Vlorë- Brindizi të futen operatorë të rinj për te rritur cilësinë e këtij shërbimi dhe deri në zgjidhjen e kësaj problematike, udhëtarët dhe bizneset që operojnë në këtë linjë janë të detyruar të përdorin portin e Durrësit duke shtuar kostot dhe vonesat në udhëtim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos