Vodhi të dhënat e 100 milionë klientëve të një banke, ndalohet e dyshuara

Nga A2 CNN
30 Korrik 2019, 13:36 | Bota
Vodhi të dhënat e 100 milionë klientëve të një

Konsiderohet si një nga shkeljet më të mëdha në histori: një haker fitoi qasje në mbi 100 milionë llogari dhe aplikime për karta krediti të klientëve të bankës “Capital One” që operon në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Autorja e dyshuar për këtë krim është ndaluar nga drejtësia amerikane. Paige Thompson akuzohet për sulm kibernetik ndaj serverit të bankës, me anë të të cilit arriti të sigurojë 140 mijë numra identifikimi të sigurimeve shoqërore në Shtetet e Bashkuara dhe 1 milionë të tilla në Kanada si dhe të dhëna për 80 mijë llogari bankare.

Gjithashtu, arriti të sigurojë emra klientësh, adresa, të dhëna për llogaritë bankare dhe informacione të tjera, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Në bazë të hetimeve, Thompson u përpoq të ndante të dhënat me të tjerë online.

33-vjeçarja që jeton në Siatëll kishte punuar më përpara si inxhiniere në një kompani teknologjie, e cila mirëmbante serverin që përdorej nga banka Capital One. Në këtë mënyrë, ajo mundi të thyente me lehtësi sistemet mbrojtëse.

Sulmi kibernetik ndaj Capital One ndodhi më 22 dhe 23 mars. Drejtuesit e bankës siguruan klientët e tyre duke njoftuar se të dhënat e tyre janë të mbrojtura mirë dhe se do të monitorohen me kujdes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos