Vokshi akuza Ramës për pandeminë: INSTAT nxori zbuluar propagandën. Dështimin e paguan qytetarët

Nga A2 CNN
14 Gusht 2021, 10:22 | Politikë
Vokshi akuza Ramës për pandeminë: INSTAT nxori zbuluar

Deputetja e zgjedhur demokrate Albana Vokshi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka dështuar me pandeminë. Në një postim në Facebook referuar të dhënave të INSTAT, Vokshi deklaron se Shqipëria ka numrin më të lartë të vdekjeve në Europë që nga fillimi i pandemisë.

“Shqipëria me numrin më të lartë të vdekjeve në Europë që nga fillimi i pandemisë. 10 mijë vdekje më shumë. Dështimin e Edi Ramës me pandeminë e paguan qytetarët e thjeshtë, të cilët mbetën të pambrojtur ndërkohë që përgjigjja e vetme që qeveria kishte, ishte si përherë propaganda.

Duke hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit se menaxhimi i pandemisë në vendin tonë ishte një sukses, Vokshi shprehet se Shqipëria u rendit e fundit në Europë për numrin e testimeve dhe për ndihmën ekonomike. Sipas saj Rama nuk hoqi dorë nga dorë nga koncesionet korruptive dhe nga tenderat sekretë në kohë fatkeqësie dhe nuk mori parasysh planin me 5 pika të PD.

Teksa qytetarët vuanin dhe ekonomia lëngonte, Rama nuk hoqi asnjëherë dorë nga mashtrimet dhe gënjeshtrat, nuk hoqi dorë as nga shpenzimet e majme për klientët e tij, nuk hoqi dorë nga koncesionet korruptive dhe nga tenderat sekretë në kohë fatkeqësie.

Prandaj, Shqipëria u rendit:

- e fundit në Europë për numrin e testimeve,

- e fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë,

- e fundit në Europë për ndihmën ekonomike dhe

- e para në Europë për numrin e jetëve të humbura në raport me popullsinë.

Rama refuzoi planin e PD me 5 pika, sepse ai kishte planin e tij për të plaçkitur taksat e shqiptarëve edhe në kohë pandemie.

Atë që sot zbulon INSTAT-i, qytetarët e kanë jetuar dhe vuajtur  në lëkurën e tyre.

Këto janë pasojat e pashmangshme të sundimit të një pakice që ka braktisur shqiptarët dhe punon vetëm për veten dhe klientët e saj”, shkruan Vokshi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos