
Dega e Partisë Demokratike në Korçë ka nisur procesin e riorganizimit. Pas largimeve, selia qendrore ka autorizuar që drejtimi i partisë të bëhet nga tre nënkryetarët e saj. Deputeti i zgjedhur i këtij qarku, Ervin Salianji, nuk la pa akuzuar të larguarit, mes tyre edhe ish-kryetarin e degës Andrea Mano.
“Shumë njerëz nuk janë mësuar dot me sakrificën, shumë të tjerë janë "demokratë pushteti" dhe nuk janë dot demokratë sakricash dhe opozitë. Të sqarojmë tani se 15 seksione kanë problematika që është larguar kryetari ose sekretari i seksionit nga 146 seksione që ka Partia Demokratike në Korçë”.
Andrea Mano e shoqëroi dorëheqjen me disa akuza për nepotizëm e papërgjeshmëri në lidershipin e PD, por Salianji u kujdes të vinte në dukje se rezultati i 25 prillit për këtë qark ishte më i lartë se ai i vitit 2013.
“Nuk është e lehtë dhe kjo është më se e kuptueshme të përballesh me një regjim. Por duhet thënë që qarku i Korçës është qarku i katërt me rezultatin më të mirë në rang kombëtar për Partinë Demokratike. Përpara Korçës, është vetëm Kukësi, Dibra dhe Lezha. Në procesin e 25 prillit ne kemi marrë më shumë se 40%”.
Në fund të muajt korrik, kryetari i degës së PD-së në Korçë, së bashku me anëtarët e kryesisë, dhanë dorëheqjen duke akuzuar drejtuesit qendror të partisë për humbjen e zgjedhjeve. (A2 Televizion)