Volej e basket, duele vendimtare për titullin

Nga A2 CNN
22 Mars 2023, 11:47 | Sporte të tjera
Volej e basket, duele vendimtare për titullin

Do të jetë një pasdite spektakolare ajo e kësaj të mërkure në sallën sportive “Dhimitraq Goga” në Fllakë. Prej orës 18:00, dashamirësit e basketbollit dhe volejbollit do të mund të shijojnë dy duele vendimtare për titujt kampionë.

Pikërisht në 18:00, luhet Teuta-Tirana një duel “titanësh” në basketbollin e meshkujve, sfidë e cila pritet të vendosë shumë për renditjen përfundimtare të sezonit të rregullt. Durrsakët kryesojnë tabelën në kuotën e 30 pikëve bashkë me Besëlidhjen e Lezhës ndërsa Tirana qëndron e treta me 27 pikë. Skuadra e trajnerit Erkand Karaj do të provojë të rihapë garën për vendin e parë në rast të një fitoreje të mundshme.

Më pas, në orën 21:00 koshi do të spostohet dhe në “Dhimitraq Goga” do të vendoset rrjeta për të pritur një tjetër përballje jo më pak interesante. Erezni-Partizani luhet në volejbollin e meshkujve dhe rezultati final do të vendos shumë për klasifikimin. Për momentin të kuqtë e Ylli Tomorrit udhëheqin klasifikimin me pikë të barabarta me Tiranën, ndërsa shijakasit renditen në vendin e tretë me 2 pikë më pak por me një ndeshje më pak gjithashtu.

Ndeshja është e vlefshme për javën e 13-të ndërsa e 14-ta dhe e fundit njëkohësisht, që zhvillohet në fundjavë, do të sjellë derbin e kryeqytetit ditën e shtunë në orën 19:00 në pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ndërkohë që Erzeni do të përballet përsëri në Fllakë me Skënderbeun. Vetëm atëherë do të mund të mësohet renditja përfundimtare e cila do ti bëjë vend më pas finaleve të “playoff”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos