
E shtuna e 11 marsit do të jetë një ditë e rëndësishme për volejbollin shqiptar. Palestra e Sportit në komunën e Farkës do të presë finalet e Kupës së Shqipërisë si për femra ashtu dhe për meshkuj. Maratona e finaleve nis prej orës 16:00 me duelin spektakolar të femrave atje ku Partizani dhe Skënderbeu do të kërkojnë të ulen në fronin ku qëndron Tirana e Amarilda Prengës, kampionet e edicionit të kaluar. Partizani është skuadra që udhëheq kampionatin kombëtar, por jo më mbrapa mbetet ekipi korçar që vjen me moralin e lartë pas triumfit në ligën e përbashkët me Kosovën, “Gjergj Kastrioti”.
I njëjti spektakël pritet edhe te meshkujt atje ku është një fotokopje e finales së sezonit të kaluar. Erzeni sfidon kampionët në fuqi të Tiranës në orën në 19:00, një duel ky që është parë në shumë finale të vitit të kaluar, por që edhe këtë sezon ka prodhuar rivalitet të lartë. Finalet duhet të zhvilloheshin më 5 mars, por u shtynë me një javë për shkak të shpalljes së të dielës së kaluar ditë zie. Pritet interes i lartë nga ndjekësit për finalet e trofeut që është objektivi i dytë më i rëndësishëm i skuadrave shqiptare, pas kampionatit kombëtar. (A2 Televizion)