
President amerikan Joe Biden dhe Shefja e Komisionit Europian, Ursula vonder Leyen njoftuan progres në zbutjen e mosmarrëveshjeve tregtare transoqeanike dhe ripërtërinë mbështetjen ndaj Ukrainës.
Në një hap të kufizuar po konkret, gjatë vizitës së Von der Leyen në Shtëpinë e Bardhë të dy liderët njoftuan nisjen e negociatave për t’u dhënë prodhuesve europianë të mineraleve kryesore, qasje në tregun amerikan, si pjesë e programit të Biden për të inkurajuar industritë e gjelbra.
"Ne do të ndihmojmë popullin e guximshëm të Ukrainës, përmes mbështetjes së sigurisë dhe implementimin e sanksioneve historike që do të reduktojnë aftësinë e Putinit për të vazhduar luftën në Ukrainë. Ne mbështesim sigurinë energjetike në Europë. Po nxisim investime të reja për të krijuar sektorë të energjisë së pastër dhe vende pune, si dhe të sigurohemi që kemi zinxhirin e furnizimi të disponueshme në të dy kontinentet,” u shpreh presidenti amerikan.
Planet e Uashingtonit për të subvencionuar kompanitë amerikane, bazuar në Ligjin për Reduktimin e Inflacionit nuk janë pritur mirë në Europë. Sipas ligjit administrata do t’u japë 369 miliardë dollarë subvencionime dhe kredi tatimore kompanive amerikane që do të synojnë përgjysmimin e ndotjes me karbon deri në vitin 2030.
Bashkimi Evropian e konsideroi këtë diskriminues, por në takimin e tyre dy liderët u përpoqën t’i minimizonin ndasitë përmes urave të bashkëpunimit.
“Sot u dakordësuam se do të bashkëpunojmë mbi materialet kritike të papërpunuara, te cilat burojnë dhe procesohen në Bashkimin Europian duke i dhënë qasje në tregun amerikan si ta kishin origjinën prej andej.”
Ndërsa zhvillohet lufta në Ukrainë, Evropa po përpiqet t’i japë fund ndërvarësisë nga Rusia për burime energjitike fosile, duke shtuar prodhimin vendas të energjisë së rinovueshme. Për ta realizuar këtë, do t’i duhet më shumë qasje tek mineralet jetike, si lithiumi dhe metale të rralla, pjesa më e madhe e të cilave përpunohen në Kinë. (A2 Televizion)