
Rusia akuzon Shtetet e Bashkuara se qëndrojnë pas frymës antiruse në protestat e ditëve të fundit në Gjeorgji kundër ligjit për agjentët e huaj.
“Ne shohim qartësisht dorën amerikane të përfshirë dhe nuk mund të themi se është e padukshme. Po shohim me kujdes dhe shqetësim situatën, ndërsa mbikëqyrim provokimet”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai shtoi se ka rrezik të shtuar për sulme në Osetinë Jugore dhe Abkhazi, dy rajonet e Gjeorgjisë të cilat Rusia i ka njohur si të pavarura.
Lidhur me protestat në Tbilisi për ligjin e tërhequr zyrtarisht nga qeveria, reagoi dhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Ai tha se zhvillimet e fundit në Gjeorgji i kujtojnë protestat në Euromaidan të Kievit në Ukrainë, ku në vitin 2014 sollën rrëzimin e presidentit filorus, Viktor Yanukovich. Atë ngjarje që solli ndryshimin e kursit të Ukrainës drejt perëndimit, Rusia e konsideron një grusht shteti. (A2 Televizion)