
Xi Jinping mori mandatin e tretë të paprecedentë si presidenti, duke çimentuar rolin, si lideri më i fuqishëm e jetëgjatë i Kinës në dekada. Lideri autoritar siguroi 5 vite të tjera në detyrë, nga parlamenti me pak pushtet de fakto i Kinës, pas një votimi ceremonial, që synonte të demonstronte legjitimitetin dhe unitetin e elitës drejtuese.
Ai mori mbështetje unanime prej 2952 votash, të ndjekur nga ovacione të gjata. Në ceremoninë e organizuar me kujdes ne Pekin, Xi ngriti lart grushtin e djathtë dhe vendosi dorën e majtë në kopjen prej lëkure të Kushtetutës kineze, duke u zotuar të ndërtojë një vend të madh socialist, të begatë e demokratik.
“Zotohem t’i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës Popullore të Kinës, të mbroj autoritetin e Kushtetutës, të përmbush detyrimet e mia dhe t’u jem besnik vendit dhe popullit duke punuar për një vend të madh socialit e modern, që është i begatë, i fuqishëm, demokratik, i avancuar kulturalisht dhe i bukur.”
Riemërimi i Xi Jinping, shihet gjerësisht si formalitet, pasi 69-vjeçari siguroi një mandat të tretë në krye të partisë komuniste kineze në vjeshtë. Në Pekin, presidenca ose kreu i shtetit, është një titull ceremonial.
Pushteti i vërtetë qëndron tek pozicionet e kreut të partisë dhe ushtrisë, dy role kyçe që Jinping i mban dhe që i rifitoi në kongresin e partisë në muajit tetor. E megjithatë marrja e mandatit të ri si kreu i shtetit kompleton zyrtarisht tranzicionin e tij në dekadën e dytë të pushtetit.
Ky hap vjen mes një riformatimi të gjerë të roleve të lidershipit në qeverinë qendrore, apo këshillin e sigurisë, dhe organizata të tjera shtetërore që forcojnë kapjen e pushtetit nga Xi në të gjitha nivelet e qeverisjes. Li Qiang, një prej njerëzve më të besuar të Presidentit pritet të zgjidhet Kryeministër ditën e shtunë. (A2 Televizion)