
Edhe në këto zgjedhje, shqiptarët jashtë atdheut nuk do të kenë mundësi të votojnë, pavarësisht premtimeve të shumta të forcave politike, të cilat ja hodhën fajin njëra-tjetrës për këtë dështim. Në një deklaratë për shtyp, PD akuzon qeverinë si përgjegjësen kryesore për mos realizimin e këtij procesi për zgjedhjet e 25 prillit.
“Pas 8 vjetësh premtime, Edi Rama dështoi t’u sigurojë emigrantëve shqiptarë të drejtën kushtetuese të votës në vendin ku ata jetojnë. Për 8 vite me radhë, Rama përdori emigrantët dhe Diasporën për propagandë dhe për abuzim me fondet publike. Rezultati final ishte mashtrimi dhe zhgënjimi i mbi 1 milionë shqiptarëve të Diasporës. Partia Demokratike, nesër në qeverisje, do të bëjë të mundur votimin elektronik për çdo qytetar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit”, PD.
Përgjigja nga mazhoranca nuk vonoi. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga Elbasani e kaloi topin sërish në fushën e kundërshtarëve politik.
“Përgjegjësia ka një emër ajo është PD-LSI, të cilët i frikësohen votës së shqiptarëve që votojnë jashtë territorit, por unë shpresoj që ata që kanë mundësi të vijnë të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Taulant Balla.
Kodi zgjedhor ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucionin përgjegjës për të kompletuar procesin e votimit të emigrantëve. Komisioneri Ilirjan Celibashi foli për mungesë kohe, por refuzoi të mbajë të gjithë fajin për vete.
“Përgjegjësia është e të gjithëve”, tha Celibashi. Vetë përfaqësuesit e Diasporës e drejtojnë gishtin nga qeveria. Florian Haçkaj që drejton Lëvizjen Diaspora për Shqipërinë e Lirë, mbështet reagimin e opozitës, por kërkon prova të seriozitetit të saj.
“Është totalisht një dështim i qeverisë. Ka 8 vite në qeveri dhe akoma nuk duhet ta linte këtë për në fund. Kështu që kalimi i topit te opozita apo te partitë e tjera për luftë elektorati te ne nuk bën punë se e dimë si është ky problem. Sot kishte një deklaratë pozitive nga Partia Demokratike, por në gjykimin tonë është e paqartë dhe e pamjaftueshme. Ne nuk duam premtim, por duam ta fusim si pjesë e qeverisjes së nesërme”, Florian Haçkaj, Diaspora për Shqipërinë e Lirë.
Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë në një reagim zyrtar kërkon mes të tjerash edhe dorëheqjen e ministrit të Shtetit, Pandeli Majko si përgjegjës për mos realizimin e këtij procesi ku si pasojnë, theksojnë ata mbetën pa votuar 1,3 milionë shqiptarë. (A2 Televizion)