
Ambasadori britanik në vendin tonë ka zhvilluar takime këtë të enjte me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit.
Ky takim vjen pas atij të ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, të zhvilluar javë më parë me drejtuesit politik në Qarkun e Elbasanit. Vetë ambasadori nuk ka preferuar të komentojë takimet, ndërsa drejtuesit politik të PS dhe PD ndanë këto opinione me gazetarët, pas takimit me ambasadorin britanik.
“Unë takohem shpesh me të gjithë ambasadorët dhe të gjitha bisedat janë miqësore e konsultative. Asnjëherë nuk marr porosi. E vetmja gjë që mund të them është që PS-ja në Elbasan po punon çdo ditë për zgjidhje normale demokratike. Për ne është shumë i rëndësishëm edhe standardi i plotë i këtyre zgjedhjeve”, tha Balla.
“Ka një interes të shtuar të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e standardeve zgjedhore në Qarkun e Elbasanit, për shkak të të gjitha problematikave që kanë ndodhur në zgjedhjet e shkuara. Pata mundësinë që ta informoj me të gjitha shqetësimet që PD-ja ka lidhur me këto standarde dhe mora garancinë që vëmendja e shtuar e ndërkombëtarëve në Elbasan do të vijojë deri në numërimin e votës së fundit”, theksoi Bardhi.
Qarku i Elbasanit konsiderohet si një ndër qarqet më të nxehtë sa i takon përballjes politike për zgjedhjet e 25 Prillit dhe ku nuk kanë munguar as përplasjet fizike të simpatizantëve dhe kanidatëve për deputet. (A2 Televizion)