
Zhvillohen zgjedhjet për drejtuesit e rinj të 12 universiteteve publike. Në kushtet e pandemisë, procesi nisi në orën 08:00 të mëngjesit nga çdo qendër votimi e ngritur pranë fakulteteve.
Të parët që iu drejtuan kutive ishin stafet akademike të cilët kanë dhe peshën kryesore të votës me rreth 90% ndërsa 10% e zë vota studentore.
Pjesëmarrja e të rinjve ishte e ulët, por edhe ata që votuan nuk i njihnin kandidatët dhe as programet e tyre. Të tjerë studentë kanë zgjedhur të bojkotojnë.
Edhe këto zgjedhje, veçanërisht për Universitetin e Tiranës u paraprinë nga kundërshtitë dhe protestat për shkak të pandemisë dhe mungesës së studentëve. Edhe opozita i cilësoi të paligjshme duke i krahasur me zgjedhjet politike të 30 qershorit.
Ndërkaq rreth 4 mijë pedagogë të universiteteve publike dhe vota e studentëve pjesëmarrës do të nxjerrë rektorët, dekanët dhe anëtaret e rinj të Senateve për 4 vitet e ardhshme. (A2 Televizion)