Alimehmeti: Jo të gjitha maskat janë njësoj, distanca është kyçe

Nga A2 CNN
30 Korrik 2020, 10:56 | Aktualitet
Alimehmeti: Jo të gjitha maskat janë njësoj, distanca

Doktor Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog, ishte i ftuar në Dita Jonë nga ku foli për mbajtjen e maskave dhe llojet e tyre.

Megjithatë, epidemiologu theksoi se distanca është kyçe në këtë luftë. “Maskat janë një element mjaft i rëndësishëm, por distanca është kyçe në siguri. Maskat me valvul janë maska egoiste sepse janë maska për mbrojtëse personale, më mbron mua, por kur unë nxjerr frymën, ajo del lirisht. Nuk të lodh, por mbron vetëm personin që e mban dhe jo të tjerët. Në shumë shtete, po të mbash një maskë me valvul merr direkt gjobë. Te maskat e bëra vetë, patjetër që mes tyre ka të qepura siç duhet, me copën e duhur, por për shumicën dërrmuese nuk garantohet mbrojtje. Distanca është kyçe, maska është linja e fundit e mbrojtjes”.

Sa i përket situatës aktuale në vendin tonë, epidemiologu u shpreh se situata ka nisur të zbutet disi, por thekson se zbritja do të jetë shumë e ngadaltë.

“Trajektorja është e ngjashme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për të dalë nga rajoni i ngjan edhe Izraelit. Duket si ecuria natyrore e virusit. Mesa duket kemi një farë ngadalësimi, por këtë po e them me shumë kujdes. Numrat kanë filluar të stabilizohen, ka filluar një lloj zbutje. Sa do të vazhdojë kështu gjatë? Ndoshta mund të na ndihmojë ecuria në Maqedoninë e Veriut ku numrat u rritën rreth 3 javë më parë se te ne. Aktualisht, aty po fillon të zbutet situata. Ngjitja ishte eksponenciale, ndërsa zbritja do të jetë shumë e avashtë, do të jetë e shtrirë”, u shpreh Alimehmeti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos