
Një muaj para zgjedhjeve KQZ ka shpallur kompaninë fituese për votimin dhe numërimin elektronik.
Në Agjencinë e Prokurimeve Publike është botuar buletini i posaçëm ku është njoftuar se fituese është e njëjta kompani që ka fituar edhe tenderin e madh për identifikimin elektronik.
Projekti në fjalë do të kushtojë rreth 1 milion dollarë dhe parashikohet të implementohet në 32 qendrat e votimit të njësisë administrative numër 10 të kryeqytetit.
Kompania “SmartMatic” mund të konsiderohet me fat pasi brenda një kohe të shkurtër arriti të fitonte 2 tenderat për teknologjinë në zgjedhje me një faturë të kripur për financat shqiptare, ku kosto totale e zgjedhjeve kap vlerën e rreth 35 milionë eurove.
Të dy tenderat i ka fituar si kompanie e vetme në gare, pa shpallje dhe me negocim të drejtpërdrejtë me KQZ-në.
Pavarësisht kostove, kjo pritet të jetë risia e radhës në zgjedhjet shqiptare pasi parashikohet që për herë të parë 23 619 votues do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes dhe të numërohet elektronikisht. (A2 Televizion)