
Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf ka reaguar disa minuta pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese, aq të kundërshtuara nga opozita jashtëparlamentare.
Përmes një deklarate për shtyp, Zingraf shprehet se reforma zgjedhore është duke marrë sërish tipare konfliktuale për shkak të këtyre ndryshimeve kushtetuese.
“Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit, reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës.
Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit”, shprehet Zingraf. (A2 Televizion)