
Kabineti i ri qeveritar në Maqedoninë e Veriut, i udhëhequr nga social-demokrati Dimitar Kovaçevksi mori dritën jeshile nga parlamentit të dielën, pak para mesnatës. Në parlamentin prej 120 vendesh, 62 ligjvënës votuan pro, ndërsa 46 ishin kundër.
Votimi u parapri nga një debat i ashpër dy ditor, i cili u shoqërua me polemika të shumta mes ligjvënësve të opozitës nga njëra anë dhe shumicës parlamentare, nga ana tjetër.
VMRO-DPMNE-ja në opozitë pretendon se Kovaçevski nuk ka legjitimitetin e popullit “pasi nuk ka marrë pjesë në zgjedhje të drejtpërdrejta”; se është trashëgimtar i politikave korruptive të ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe nuk ka aftësi për ta integruar vendin në Bashkimin Evropian.
Kabineti i Kovaçevskit do të ketë 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate ka 12 anëtarë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa. Njëmbëdhjetë anëtarë të Qeverisë janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë.
Kryeministri i ri përmendi si prioritet kapërcimin e krizës ekonomike dhe energjetike që, sipas tij, burimin e ka tek pandemia e koronavirusit. Premtoi, po ashtu rritje të shpejtë të pensioneve dhe rritje të përpjekjeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë për integrimin europian të vendit. (A2 Televizion)