
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Qeverinë Hoti. Me 61 vota, 1 abstenim, deputetët e Kuvendit i thanë “po” qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së. Në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë jam shumë i kënaqur që përfundimisht pas një pune më shumë se një muaj të punës me partnerët e koalicionit qeverisës kemi bërë bashkë një program qeverisës që i adreson nevojat e qytetarëve, nevojat më emergjente që ka shteti i Kosovës”, ishin fjalët e para të Hotit pas votimit. “Është lufta kësaj pandemie, besoj që do ia dalim mbarë, kriza ekonomike e cila do të fillojë me punë që në ditën e parë. Një pako për rimëkëmbje ekonomike të cilën do ta sjellim në kuvend dhe një program mjaft të pasur për qeverisjen tonë të plotë dhe gjithëpërfshirëse”.
Krijimi i qeverisë së re u përshëndet nga Ambasada amerikane. “Mezi po presim që të punojmë me qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, përfshi edhe përpjekjet për të përforcuar marrëdhëniet rajonale dhe për të luftuar Covid-19”, thuhet në një reagim të saj.
Para dhe gjatë seancës, disa qytetarë kanë protestuar para godinës së Kuvendit. Për një moment ata janë përpjekur edhe të futen brenda godinës, por janë ndaluar nga Policia. (A2 Televizion)